Mamusha kryeson me dalje në votime, Rahoveci më së dobëti
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat e fundit në lidhje me daljen e zgjedhësve për raundin e dytë në 21 komuna të Kosovës.
Përqindja e përgjithshme e daljes së qytetarëve për të ushtruar obligimin e tyre ligjor është 23,60 për qind, që shënon rënie prej rreth 4 për qind në krahasim me raundin e parë të 17 tetorit, kur deri në orën 15:00 votuan 27,43 për qind e qytetarëve.
Në këtë raund komuna që ka tërhequr më së shumti votues deri në këtë kohë është ajo e Mamushës. Atje kanë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar 44,73% e zgjedhësve, ose 1.889 qytetarë, nga 4.223 me të drejtë vote.
Me mbi 30 për qind të daljes janë edhe komuna e Junikut me 40,73%, e Kllokotit me 37,20%, e Shtimes me 32,24% dhe ajo e Podujevës me 30,71%.
Ndërkaq, komuna me daljen më të ulët deri në orën 15:00 është ajo e Rahovecit, me vetëm 16,27%, ose 9.377 qytetarë nga 57.618 sa kanë të drejtë vote. /Zëri