Voton Konjufca: Uroj që procesi zgjedhor të shkojë mbarë e mirë e të mos ketë parregullsi
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, kanë hedhur votën për balotazh në zgjedhjet lokale të 14 nëntorit.
Konjufca ka thënë se qytetarët duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre, raporton Zeri.info.
“Sapo e shfrytëzova të drejtën demokratike e qytetare për të votuar. Kështu mendoj që duhet të bëjnë të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë sa më masive. Meqenëse sot është vendimi për t’i zgjedhur kryetarët e komunave anembanë Kosovës”, tha ai.
Kryeparlamentari uron që procesi zgjedhor të shkojë mbarë e mirë e të mos ketë parregullsi.
“E para është që sa më shumë qytetarë është e rëndësishme që të dalin në zgjedhje dhe e dyta, urojmë që procesi zgjedhor të shkojë mbarë e mirë që të mos ketë parregullsi. Që të përmbyllet në mbrëmje në mënyrë të ndershme e fer. E pastaj pa dyshim ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve”, ka thënë Konjufca. /Zëri