Kusari-Lila: Do të punoj për Gjakovën derisa të më rrah damari i fundit

Me sloganin “Bashkë Qeverisim”, kandidatja për kryetare të Gjakovës Mimoza Kusari-Lila në tubimin përmbyllës theksoi se bashkëqeverisja është e mundur kur të gjithë masovisht do të votojnë të dielën e 14 nëntorit.

Pretendetja e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë komunë ka thënë se do të punojë “derisa t’i rrahë damari i fundit”.

Ndërkaq për kundërshtarin politik në këto zgjedhje ajo tha se e sheh Gjakovën si një vend ku do të marrin tender dhe të abuzojnë me punësime.

“Sonte nuk jam vetëm para jush. Jam me plot mbështetës, jemi bashkë me LVV më të sigurt se kurrë ne suksesin tonë të rreshtuar pranë kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave të përkushtuar në të mirën e qytetarëve. Vizioni ynë nuk u bë ende realitet. Një ëndërr nuk bëhet realitet përmes magjisë, me vendosmëri dhe punë të palodhur. Unë këtu nuk vij të kërkoj besimin tuaj për të bërë një subjekt për fëmijët tyre. Unë nuk ju them na votoni se Gjakova është e LVV-së apo e Aleancës. Përkundrazi ne te gjithë jemi të Gjakovës, unë jam Mimoza e Gjakovës dhe si e tillë do të punojë për Gjakovën”.

“Të tjerët po e shohin Gjakovën si vend ku do të marrin tender, të abuzojnë me punësime, të keqmenaxhojnë me tender. Të zhvillojnë Gjakovën si projekt urban të interesave të ngushtë. Ata të gjithë i njohim dhe i dimë kush janë. Por sot ju themi se Gjakova nuk ka nevojë për ta. Gjakova ka nevojë për zhvillim dhe profesionistë. E të gjitha këto LVV ia sjell Gjakovës për t’ia kthyer edhe një herë vlerat”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, u shpreh se sonte po përmbyllet cikli i zgjedhjeve me ndryshimin, siç tha ajo, që po sjell Lëvizja Vetëvendosje.

“Me lëvizjen për të lëvizur përpara edhe në Gjakovë. Me LVV për të vendosur vetë për veten tonë. Për të bashkëqeverisur edhe në Gjakovë. Na keni votuar të gjithë me 14 shkurt, e na nxorët subjektin e parë në vend. Na besuat qeverisjen në nivel qendror, andaj na keni bërë të obliguar që të punojmë shumë drejt dhe ndershëm. Gjakovës e sikur edhe tërë Kosovës besimin që na i dhatë në zgjedhjet qendrore do t’ia kthejmë me punë, me profesionalizëm, ndershmëri, e zhvillim për të gjithë”.

Edhe ministri i Kulturës Hajrulla Çeku u ka bërë thirrje qytetarëve që të besojnë në qeverisjen e Kusari-Lilës duke thënë se Gjakova ka nevojë për një mendësi ndryshe dhe qeverisje të dinjitetshme.

Në garën e balotazhit të dielën në Gjakovë do të jenë kandidatja e Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila dhe kandidati i AAK-së Ardian Gjini. /klankosova