LVV-ja përmbyll fushatën në Prishtinë, Konjufca: Kundërkandidati i Vitisë s’do të bëjë gjë, pos ndonjë villë në Liqenin e Badocit

Lëvizja Vetëvendosje ka përmbyllur fushatën zgjedhore në Prishtinë.

Për ta mbështetur Vitinë për kryetar të kryeqytetit ishte edhe nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetar i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ai apeloi te qytetarët që ta votojnë Vitinë për kryetar, pasi siç tha ai do ta ketë përkrahjen e kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së tij.

“Vetëvendosja po ia ofron Prishtinës Arben Vitinë, e Arben Vitia po i’a ofron përkushtimin me projekte të mëdha. Krah do të jetë edhe Qeveria Kurti sepse ne jemi për Prishtinën dhe t’ia jepim Prishtinës një kryetar si Vitia. Për ta rregulluar kaosin për ta reduktuar ndotjen, e për ta gjelbëruar vendin. Kundërkandidati i Vitisë nuk do të bëjë ndonjë gjë pos ndonjë villë për vetë apo për dostat e vet në Liqenin e Badocit. Kjo nuk bën sepse është e dëmshme, dhe Arben Vitia nuk po garon për t’u pasuruar por për t’u gjetur afër kryeqytetasve vet, si dhe për ta qeverisur komunën së bashku me prishtinasit e vet”, tha Konjufca.

Ndërkaq përmes një video-mesazhi u paraqit kryeministri Albin Kurti, i cili po merr pjesë në Forumin e Paqes në kryeqytetin francez që u organizuar nga presidenti Emanuel Macron.

“Bashkë me Benin kemi punuar gjatë dhe vota për Benin është për të mbështetur familjet tona, kudo që po shkoj po flasim për gjëra të mëdha. Të dielën dilni votoni Arben Vitinë sepse bashkë qeverisim me të”, tha Kurti nga Parisi. /eo