Vitia thotë se ka mbështetjen e Qeverisë për projektet në Prishtinë

Kandidati i Vetëvendosjes për Prishtinën, Arben Vitia, ka thënë se ka përgatitur programin për Prishtinën ne koordinim me secilën ministri dhe sipas tij, përkrahja e Qeverisë për të qeverisur me kryeqytetin është një shancë unike për Prishtinën.

Vitia tha se Kurti i qëndron prapa, jo vetëm si aktivist i Vetëvendosjes, por edhe në vizionin për Prishtinën, ndërsa ka përmendur një nga projektet për eliminimin e kaosit të trafikut.

“Unë jam aktivist i Vetëvendosjes dhe kam mbështetjen e tyre gjë që është e natyrshme. Fillimisht kam përkrahje nga aktivistët, pastaj nga Qeveria dhe kryeministri. Kur është bërë programi është bërë me secilin ministri të linjës. Kurti qëndron prapa meje jo vetëm si aktivist i Vetëvendosjes, por mbi të gjitha bashkë në vizionin tonë për Prishtinën. Kemi në plan mbi 150 milionë euro vetëm në eliminimin e kaosit të trafikut me rrugë të reja që janë bërë në relacion me Qeverinë, sepse komuna e Prishtinës s’i ka të gjitha fondet dhe nevojitet një koordinim i jashtëzakonshëm me Qeverinë dhe këtë përkrahje dhe vizion, i cili është i përbashkët natyrisht si Lëvizje Vetëvendosje ku kryeministri Kurti dhe gjithë Qeveria do të rrinë prapa”, tha Vitia në debatin televiziv në Klan Kosova. /Zëri