Kurti për Vitinë: Gojëmbël me qytetarët dhe i pakompromis në punë

Epitete përkëdhelëse ka përdorur kryeministri Albin Kurti derisa ka përshkruan personalitetin e kandidatit të LVV-së për Prishtinën, Arben Vitia.

Gojëmbël, i urtë, punëtor e i pathyeshëm janë disa prej epiteteve që ka përdorur Kurti për Vitinë, derisa ka thënë se një personalitet i tillë i duhet Prishtinës, transmeton Zeri.info.

“Gojëmbël me qytetarët dhe i pakompromis në punë. Tamam si mjek i mirë që sillet me dashamirësi me pacientët dhe është i saktë me terapinë. Beni është më i urti si shok dhe më i ashpri në punë. I pathyeshëm dhe i palodhshëm. I fuqishëm pa u dukur i fortë. Prandaj ka pasur sukses në çdo angazhim të tijin publik. I reformoi qendrat e mjekësisë familjare në atë mënyrë që edhe kundërshtarët sot ia pranojnë si zotësi”, ka shkruar Kurti për Vitinë.

Më tej ai ka përmendur edhe vaksinat anti-COVID, të cilat sipas Kurtit, janë siguruar nga Vitia në kohën sa ishte ministër i Shëndetësisë.

Më tej Kurti tha se qytetarët e Prishtinës do të jenë me fat që ta kenë për kryetar një njeri që shërben me përulësi

“I siguroi 1.2 milion vaksina me çmimin më të volitshëm e me furnizim masiv. Ai i ka dalë zot qytetarëve në ditët më të vështira dhe ia ka dalë më sukses çdo situate të vështirë politike. Shumë prej tyre i kemi kaluar bashkë. Ne jemi fatlumë që e kemi në Lëvizje dhe qytetarët e Prishtinës do të jenë me fat që ta kenë për kryetar një njeri që shërben me përulësi. Përveçse dije, Beni ka shije, estetike e artistike. Krahas progresit, edhe kjo i duhet Prishtinës, një qytet i fotografueshëm dhe plot jetë”, ka shkruar kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. /Zëri