Vitia nis fushatën e balotazhit, premton spital të ri e investime milionëshe në infrastrukturë

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të komunës së Prishtinës, Arben Vitia, në hapjen e fushatës së balotazhit, ka premtuar spital të ri, investime milionëshe në rrugë e qendra kulturore, raporton Ekonomia Online.

Tutje, Vitia tha se në planprogramin e tij janë të paraparë investime që prekin jetën e përditshme të qytetarëve.

“Kemi qenë në çdo lagje duke shpalosur projektin tonë për kryeqytetin, sepse kryeqyteti është vendi i parë në Republikë ku duhet të rregullohet. Natyra e individit është kryeqyteti. Pesë qendra kulturore të reja duke prekur 7 milionë euro që do investohen brenda mandatit për këto qendra kulturore”.

Më tej, ai përmendi disa projekte në rregullimin e infrastrukturës së kryeqytetit.

“Qyteti është vlerësim shpirtëror i brezave të vjetër. Ajo çka na është dhënë duhet të jetë e përdorshme dhe jo e dëmtuar, andaj në secilën lagje do kemi shtigje të vrapimit, ku 600 mijë euro do shpenzohen për këto shtigje. Ky do jetë mandat ku do kemi edhe spitalin e ri. Investimi jonë më i madh do jetë 150 milionë euro për trotuare, rrugë, parkingje në çdo cep të tij”, theksoi tutje Vitia.

“Prishtina është e përbashkëta jonë, puna dhe angazhimi im i vetëm do jetë Prishtina, puna dhe shpirti im do jetë Prishtina si shtëpia ime e vetme”./EO