LVV-ja arrin koalicion me një parti në Prizren
Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, me kandidatin e saj Mytaher Haskuka, po synon të marrë edhe një mandat në krye të kësaj komune.
E për ta arritur këtë kryetari i Komunës, Haskuka, ka njoftuar sot se ka arritur marrëveshje koalicioni me Partinë Demokratike Turke (KDTP).
“Falënderoj kryetarin e Partisë Demokratike Turke (KDTP), Fikrim Damka, që iu përgjigj kërkesës së qytetarëve për të bashkëqeverisur më shumë për Prizrenin”, tha Haskuka në një postim në Facebook.
Ai theksoi se “qeverisja e mirë dhe bashkëpunimi i mirëfilltë gjatë këtyre katër vjetëve do të vazhdojë edhe në mandatin e ardhshëm, për të çuar përpara projektet madhore në interes të të gjithë qytetarëve të Prizrenit”.
“Me kryetarin Damka kemi pasur një bashkëpunim të mirë, edhe si ministër i Zhvillimit Rajonal, i cili ka rezultuar me projekte të rëndësishme për Prizrenin. Ky bashkëpunim i suksesshëm do të vazhdojë edhe në të ardhmen, si në nivelin lokal, ashtu edhe në nivelin qendror”, njoftoi Mytaher Haskuka.
Haskuka do të përballet më 14 nëntor me kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj, i cili ditë më parë njoftoi se ka arritur koalicion me Nismën, AAK-në dhe AKR-në në këtë komunë.
Ndërsa Haskuka ka arritur koalicion edhe me partinë e zëvendëskryeministres Emilija Rexhepi (NDS). /Zëri