Rama: Do ta mbrojmë trashëgiminë kulturore të “Prishtinës së Vjetër”
Kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Përparim Rama, ka prezantuar planin e tij për “Prishtinën e Vjetër”, duke parashikuar transformimin e saj në zonë për këmbësorë.
Rama ka publikuar në “Facebook” projektin e tij për “Prishtinën e Vjetër”, duke u fokusuar në elementet tradicionale në këtë zonë.
“Të gjitha rrugët do të trajtohen me elemente tradicionale, si kalldrëmi, guri dhe zonat e gjelbra. Në këtë pjesë do t’i jepet prioritet zhvillimit të artizanaleve”, ka thënë mes të tjerash Rama.
Ndër të tjera, Rama ka folur edhe për rëndësinë e mbrojtjes së traditës, të cilën e ka “Prishtina e Vjetër” në trashëgiminë kulturore.
“Çdo qytet me traditë në botë e mbron trashëgiminë e vet kulturore, si dhe e vendos në shërbim të banorëve, studiuesve e vizitorëve, me qëllim të promovimit të vlerave dhe traditave të vendit”, ka thënë Rama.
Sot ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për balotazhin e 14 nëntorit, ku Rama dhe Arben Vitia i LVV-së përballen për të parin e kryeqytetit. /Zëri