Krasniqi: Fitorja e radhës na pret më 14 nëntor
Sot ka nisur zyrtarisht fushata parazgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të mbahen më 14 nëntor.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në hapje të fushatës, është shprehur i bindur se partia e tij do të shënojë fitoren e radhës më 14 nëntor.
“Fituam më së shumti komuna e asamblistë në raundin e parë dhe tani një tjetër fitore na pret në raundin e dytë, në 8 komuna ku garojmë”, ka thënë Krasniqi në një videomesazh.
Ai ka thënë se fitorja e PDK-së në këto komuna është lajmi më i mirë për qytetarët për katër vjetët e ardhshëm.
“Fitorja e radhës na pret më 14 nëntor, sepse kandidatët më të mirë në Prizren, Vushtrri, Klinë e Malishevë, ashtu si në Drenas, Kaçanik, Dragash e Shtime, janë në numrin 177. Mbështetja e tyre të dielën është lajmi më i mirë për qytetarët e këtyre komunave për katër vjetët e ardhshëm”, është shprehur kreu i PDK-së, Memli Krasniqi.
PDK-ja në raundin e parë i fitoi katër komuna pa balotazh - Mitrovicën, Ferizajn, Skenderajn dhe Hanin e Elezit. /Zëri