Vitia flet për videon e shumëpërfolur: Nuk ka qenë për ta përqeshur Ramën
Kandidati i LVV-së për Prishtinën, Arben Vitia ka folur në lidhje me videon e shumëpërfolur të fushatës, ajo në të cilën Vitia përqeshte idetë e kundërkandidatit të tij nga LDK-ja, Përparim Rama.
Vitia ka thënë se e qeshura që shihet në video ka ardhur spontanisht dhe nuk ishte përgatitur për të përqesh programin e Ramës, transmeton Zeri.info.
"Janë pesë parqe që do t'i ndërtojmë në Komunën e Prishtinës ku qytetarët do të kenë kohë për të kaluar dhe një nga parqet e para është parku mbrapa Pallatit të Rinisë. Në këtë video isha duke incizuar këtë pjesën për parkun, ishte një moment nuk e memorizova gjithë tekstin dhe fillova dhe bëra një satirë të cilëve djemve që xhironim ju pelqeu dhe më kërkuan që ta lëmë si satirë", ka thënë Vitia në TV Dukagjin.
Ai mohoi se ka përqeshur apo bullizuar Ramën, ndërsa tha se të gjitha këto janë bërë ndaj tij nga partitë tjera politike gjatë kësaj fushate, duke shtuar se video është një satirë e lejuar në kushte demokratike dhe se nuk ka ofenduar askënd.
"Nuk kam përqeshur, etiketuar apo bullizuar, nuk kam përmendur asnjëherë kandidatin, por nëse është tek përqeshja e shpifjet e tjera, në këto gjashtë muaj, jo vetëm nga strukturat të caktuara politike, nuk kanë kursyer me ofendimet që më kanë bërë. Ramën sa e njoh nuk e marrë të drejtën as ta gjykoj as ta përqeshi dhe kjo nuk ka qenë në asnjë moment qëllimi im, ky spot është një satirë e lejuar në kushte demokratike por pa ofenduar askëndë se nuk është në natyrën time", shtoi Vitia. /Zëri