Kandidati i VV-së në Viti: Rasti për arrestimin e aktivistit tonë është i inskenuar

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Vitisë, Arsim Ademi, në një konferencë të organizuar nga kjo parti, rreth një rasti që këta të fundit po i referohen si inskenim, për arrestimin e aktivistit të VV-së atje për dhunimin e një të miture, thotë se tashmë kjo është vërtetuar se kjo ka qenë e inskenuar.

“Edhe inskenimi i fundit i aktivistit tonë, ish ushtarit të UCK-së, Bislim Bislimaj, veçse flet më së miri se në çfarë niveli janë në gjendje të shkojnë ata për të ruajtur pushtetin”, është shprehur Ademi, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai thotë se dega e VV-së atje në vazhdimësi e kanë ditur se ky është një rast i inskenuar por sipas tij, tashmë po dëshmohet edhe përmes disa fotografive që po qarkullojnë nëpër media.

“Ne e kemi ditur në vazhdimësi që ky është një rast i inskenuar, por tashmë po dëshmohet edhe përmes disa mesazheve që kanë rrjedhe nga bisedat e dy vartësve të tij, saktësisht shefit të kabinetit të tij, Jakup Haxhiu e një zyrtari të zyrës së kryetarit, Arben Jakupi”.

“Në këto dokumente, në vazhdimësi flitet se si është inskenuar ky rast dhe madje ka dëshmi se ata një ditë para se të ndodhë arrestimi e dinë se një gazetë do ta publikojë këtë rast dhe se çka do të thuhet e si do të thotë e mitura që gjoja është dhunuar”, është shprehur Ademi.

Tutje, kandidati i VV-së për të parin e komunës së Vitisë, akuzon kundërshtarin e tij nga LDK, Sokol Haliti, dhe sipas tij, shefin e kabinetit të tij, Jakup Haxhiu, e një zyrtari të zyrës së Halitit, Arben Jakupi së bashku me një gazetar.

Ademi më tej i bëri thirrje prokurorisë që të filloj hetimet në lidhje me rastin.