PDK-ja dhe AAK-ja bëjnë koalicion në Vushtrri

PDK-ja dhe AAK-ja kanë arritur marrëveshje të koalicionit në komunën e Vushtrri, duke bashkuar forcat për balotazhin e 14 nëntorit.

Zëdhënësi i PDK-së në Vushtrri, Lorik Maxhuni, ka njoftuar se partia e tij dhe AAK-ja kanë harmonizuar programin për Vushtrrinë, duke arritur koalicion, transmeton Zeri.info.

“Të zotuar në qeverisje të mirë, duke harmonizuar programet tona për Vushtrrinë e me besim se do arrijmë të zhvillojmë më shumë qytetin tonë e të krijojmë vende të reja të punës kemi arritur koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës - AAK dega në Vushtrri”, ka shkruar Maxhuni.

Ai ka treguar arsyet që i kanë bërë bashkë PDK-në dhe AAK-në në Vushtrri.

“Këtë koalicion e kemi arritur për dy arsye, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për zhvillimin e Vushtrrisë. Jemi zotuar që ta respektojmë partnerin e koalicionit dhe implementojmë marrëveshjen që kemi për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Vushtrrisë. Dalshim faqebardhë, na priftë e mbara”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se Komuna e Vushtrrisë është në mesin e 21 komunave që do të shkojnë në balotazh, ku kryetari aktual i LDK-së, Xhafer Tahiri do ta ketë përball atë të PDK-së, Ferit Idrizin më 14 nëntor. /Zëri