Kuçi deklarohet pas paraburgimit të djalit të tij, i dyshuar për manipulim me vota të diasporës

Kandidati për kryetar të Komunës së Junikut nga radhët e AAK-së, Agron Kuçi, ka dalë me një sqarim në lidhje me dyshimet për manipulim të votave nga djali i tij dhe një zyrtare të komunës.

Kuçi thotë se “ditëve të fundit unë dhe familja ime jemi linçuar, fyer, ofenduar, shantazhuar dhe kërcënuar nga disa media të sponsorizuara e të financuara nga kundërshtarët e mi politik dhe qarqe të caktuara politike”.

“E kam thënë dhe e përsëris me përgjegjësi të plotë morale, juridike dhe penale qe nuk ka kurrfarë veprimi të kundërligjshëm e asgjë penale, përveç se një skenar i orkestruar nga aktorë të caktuar nga kampi i kundërshtarëve politikë, të cilëve u janë bashkuar disa individë (miq të kampit kundërshtar, që janë vënë fatkeqësisht në dispozicion të tyre) nga Policia e Kosovës, Sistemi Prokurorial dhe Gjyqësor, për të na përbaltosur në kohë fushate të zgjedhjeve lokale, me të vetmin qëllim; për të denigruar integritetin tim, bashkëpunëtorëve dhe të familjes sime. Me synimin e vetëm për të marrë fitoren tonë, fitoren e qytetarëve të Junikut”, deklaron Kuçi në këtë postim në Facebook, raporton Zeri.info.

Mirëpo, ai thotë se këto veprime “vetëm sa na kanë forcuar, jo vetëm mua, por gjithë simpatizantët e qytetarët bujarë të Junikut, në rrugën tonë, për të dalë triumfues, sepse fitorja nuk arrihet me shantazhe, sulme linçuese, ofendime e fushatë të ndyrë!”.

“Fushata bëhet në Junik, dhe për Junikun, ndërsa ne më së miri e njohim njëri-tjetrin, ua dimë vlerat njerëzore, intelektuale, familjare e patriotike gjithsecilit prej nesh! Qytetarët e nderuar të Junikut na njohin më së miri, më mirë se çdo kush tjetër! Para së gjithash ne jemi bashkëvendas, do jetojmë me nder në Junikun tonë edhe pas datës 14 nëntor”, theksoi më tej kandidati i AAK-së për të parin e Junikut.

Në fund, ai tha se “fitoren tonë, e të qytetarëve të Junikut, nuk ka shantazh që mund ta ndal”.

Dje, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Flamur Kuçit, djalit të kryetarit të Junikut, Agron Kuçi, njëherësh kandidat edhe për një mandat.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Referuar pyetjes tuaj, mund të ju konfirmoj që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh”, deklaroi Gashi.

Kjo masë do t’i llogaritet deri më 30 nëntor.

Flamur Kuçi dyshohet se në bashkëkryerje me zyrtaren e komunës së Junikut, Blerina Sallaj, dhe aktivistë të tjerë të AAK-së, kanë përgatitur materialin e sekuestruar nga Policia, që kishte destinacion diasporën.

Flamuri është kapur në aeroportin e Prishtinës më 31 tetor, dhe sipas Policisë, ai dyshohet se së bashku me disa persona të tjerë ka tentuar që të ndikojë në procesin zgjedhor, konkretisht tek votuesit e diasporës.

“Ka tentuar të dërgojë kopje të dokumenteve personale të personave të ndryshëm dhe një listë me emra dhe mbiemra të personave të cilët jetojnë jashtë vendit (votues nga diaspora)”, thuhej në raportin e Policisë së Kosovës, raporton Zëri.

Ndërkaq, Sallaj u arrestua më 29 tetor në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës. Ajo ishte nisur për në Gjermani me ç’rast Policia e Kosovës kishte gjetur në bagazhin e saj me qindra dokumente të votuesve të diasporës në Komunën e Junikut të përgatitura paraprakisht në mënyrë të organizuar në emër të votuesve të Junikut nga diaspora.

Me këtë rast Policia ka sekuestruar telefonin e saj dhe një laptop me fletëvotime të diasporës dhe listën e votuesve në Junik për Kryetar të Komunës së Junikut në zgjedhjet e 14 nëntorit. /Zëri