Haskuka zotohet se do të jetë sa më afër banorëve të Zhurit e Hoçës së Qytetit

Kandidati i LVV-së për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka ka takuar sot banorët e Zhurit dhe Hoçës së Qytetit.

Haskuka i ka falënderuar banorët e këtyre fshatrave për mbështetjen që i kanë dhënë në raundin e parë më 17 tetor.

“Falënderuam banorët e këtyre fshatrave për mbështetjen e madhe që na kanë dhënë në raundin e parë më 17 tetor dhe theksuam se është nevojë jetike për Prizrenin të përkrahet programi ynë politik për katër vitet e ardhshme”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Ai është zotuar se do të vazhdojnë të jenë sa më afër banorëve të këtyre fshatrave.

“Përmendëm projektet që i kemi përfunduar në këto dy fshatra gjatë katërvjeçarit të parë dhe diskutuam për projektet e reja, të cilat do t'i realizojmë gjatë mandatit të dytë. Po ashtu u zotuam se do të vazhdojmë edhe më shumë të jemi afër banorëve të këtyre fshatrave”, tha Haskuka.

Sipas tij, si qeverisje përherë kanë qenë afër qytetarëve të Prizrenit dhe gjithmonë i kanë dëgjuar hallet e tyre.

“Si qeverisje përherë kemi qenë afër qytetarëve dhe gjithmonë i kemi dëgjuar hallet e tyre. Ndërsa qytetarët edhe këtë herë na kanë neve adresë të vetme për zgjidhjen e kërkesave dhe nevojave të tyre! Andaj, në këtë drejtim ne dhe qytetarët e Prizrenit, jemi në Bashkë Qeverisje”, ka përfunduar Haskuka. /Zëri