Çka thoshte Dino Merlin për Kosovën në “Zërin” e vitit 1997? [foto]

Një nga këngëtarët më të njohur dhe më të dëgjuar në hapësirën e ish-Jugosllavisë është pa dyshim boshnjaku Dino Merlin. Fama që kishte dikur tashmë atij vetëm se i është rritur.

Në qershor të vitit 1997, kur Kosova ishte buzë plasjes së luftës çlirimtare, Merlin i jep një intervistë revistës “Zëri”. Gazetar dhe intervistues ishte Astrit Salihu, një figurë e njohur tashmë për publikun.

Në këtë intervistë ai tregonte se si Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjë dhe Hercegovinës, po krijonte një identitet të ri, pasi kishte dalë nga lufta e përgjakshme me Serbinë.

Mirëpo, kur Merlin pyetej për Kosovën, ai thoshte se kishte qenë këtu në një koncert ku e kishin dërguar t’u këndonte ushtarëve boshnjakë me shërbim në Kosovë.

“Mua më kujtohet kur isha në Kosovë, kur qeveria jonë na dërgoi të mbajmë një koncert për njësitë speciale nga Bosnja. Sa shumë myslimanë (v.j. boshnjakë) që kishte atje… Unë e pysja veten: Çfarë kërkojnë ata këtu? Qysh atëherë pata kuptuar se ajo është pjesë e një represioni dhe fashizmi që ushtrohet në Kosovë. Por, do të bëja bela me të madhe sikur të deklaroja diçka të tillë. Ne gjendeshim atëherë para aktit të kryer. Madje edhe atëherë menaxheri im i ndjerë Kemo nuk e besonte në këtë”, thoshte Merlini.

Këngëtari i hiteve si “Sve je laz” (shq. “E gjitha është gënjeshtër”), “Rane” (shq. “Plagët”) apo edhe “Da je tuga snijeg” (shq. “Sikur të ishte trishtimi borë”), më tej fliste edhe për rezistencën e mundshme të Kosovës.

“Këtu (Sarajevë) njerëzit mendojnë dhe shpesh kanë dilema pse në Kosovë nuk janë ngritur, pse edhe atje nuk ka pasur rezistencë, sepse edhe ata e kanë përjetuar çizmen serbe. Por, kur më bie ndërmend se si ka qenë Sarajeva e rrethuar, me çfarë forcash, atëherë mendoj se shqiptarët duhet të jenë të kujdesshëm se duhet të kenë një udhëheqësi të urtë dhe të provojnë të zgjedhin çështjen e Kosovës ashtu siç është më së miri për popullin shqiptar”, thoshte Dino Merlin ndër të tjera në atë intervistë të “Zërit”.

Ai kishte pranuar se për tre muaj kishte bartur armë për të mbrojtur vendin e tij, deri atëherë kur ishte rezistencë gjithpopullore në Sarajevë./Zëri