Projeksionet e mediave e çojnë Prishtinën në balotazh
Në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha vendvotimet në nivel vendi për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Ndonëse KQZ-ja ende nuk ka dalë me rezultatet preliminare, mediat kanë nisur të publikojnë projeksionet e tyre për fituesit nëpër komuna të ndryshme.
Sipas këtyre projeksioneve, të KOHA-s, K10-shit dhe Dukagjinit, në Prishtinë do të shkohet në balotazh mes kandidatit të LVV-së, Arben Vitia dhe atij të LDK-së, Përparim Rama, raporton Zeri.info.
Kjo pasi asnjëri nga ta, sipas projeksioneve, nuk kanë arritur të sigurojnë mbi 50 për qind të votave.
Bazuar në hulumtimin e KOHA-s me mostër prej 1070 qytetarëve të moshës mbi 18-vjeçare, Arben Vitia ka marrë 45.7 për qind të votave. Përparim Rama i LDK-së ka marrë 26.3 për qind, ndërsa i treti është Uran Ismaili i PDK-së me 22.4 për qind. Kjo përllogaritje është bërë në bazë të votës së deklaruar.
I katërti do të dalë Daut Haradinaj i AAK-së me më pak se 4 për qind.
Vetëvendosje po ashtu ka marrë më së shumti përkrahje edhe në votën e deklaruar për asamble komunale me 49.8 për qind, e pasuar nga LDK-ja me 25.4 e PDK-ja me 15.9 për qind.
Hulumtimi është zhvilluar me mostër prej 1,070 qytetarëve të moshës 18+ (13 – 15 tetor)
Rezultatet e përgjithshme të këtij hulumtimi kanë margjinë gabimi prej ±3 pikë përqindjeje, në interval besimi prej 95%.
Sipas “Exit Poll”-it të K10, ky është rezultati për Prishtinën:
44.5 %, Arben Vitia, Lëvizja Vetëvendosje
20.9 % Uran Ismaili, Partia Demokratike e Kosovës
26.5 % Përparim Rama, Lidhja Demokratike e Kosovës
5.9 % Daut Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës
2.2 % Gëzim Mehmeti, Aleanca Kosova e Re
“Exit Poll”-i i “Ubo Consulting” dhe “RTV Dukagjinit” thotë se kandidati i VV-së, Arben Vitia ka 43.20 për qind ndërsa kandidati i LDK-së, Përparim Rama ka marrë 27.80 për qind.
Kandidati i PDK-së, Uran Ismaili ka 21.9 për qind, Daut Hardinaj i AAK-së ka 4.4 për qind.
Të dhënat e këtij “Exit Poll”-i janë prezantuar nga Valon Feka nga “UBO Consulting”.
Margjina e gabimit të këtij “Exit Poll”-i sipas Fekës është 2 pikë të përqindjes. /Zëri
/Zëri