AKR-ja: Serbët po votojnë masivisht, ku po mbesim ne?

Nga AKR-ja e kanë vlerësuar si të rregullt procesin e sotëm zgjedhor, ndërsa kanë shprehur shqetësimin për numrin e vogël të daljes në zgjedhje.

Kandidati i kësaj partie për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti, u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë minutat e fundit për të dalë në zgjedhje.

“Duhet të jemi të lumtur që kemi një demokraci. Qytetarë të dashur të Prishtinës, dilni dhe votoni kryetarin më të mirin e kryeqytetit”, tha Mehmeti.

Ndërsa shqetësimin për numrin e vogël të votuesve këtë vit e ka shprehur Selim Pacolli, i cili ishte i pranishëm në konferencën e AKR-së.

“Në bazë të disa shënimeve të viteve të kaluara, numri i zonave zgjedhore ka qenë më e lartë për dallim me këtë herë që numri është më i vogël, andaj bëj thirrje që të dalin dhe të votojnë në mënyrë, masive sepse edhe një orë ka mbetur. Nga të dhënat e KQZ-së del që nga ana e serbëve po dalin dhe po votojnë, andaj ku po mbesim ne?”, ka thënë Pacolli. /Zëri