Lushtaku tregon versionin e tij për prezencën fizike afër një qendre të votimit në Skenderaj
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se kryetari i Komunës së Skenderajt, njëherësh kandidat edhe për një mandat, Bekim Jashari, është në panik pasi sipas tij rezultatet që kanë nga terreni po tregojnë humbjen e tij.
Ky reagim i Lushtakut vjen pas akuzave nga kampi i Jasharit se “Mërgim Lushtaku, Jetullah Geci dhe militantë të PDK-së po u bëjnë presion votuesve para qendrave të votimit” në Skenderaj.
Këto akuza të Jasharit Lushtaku i ka quajtur “shpifje të ulëta”, transmeton Zeri.info.
“Bekim Jashari në panik! Qytetarë të nderuar, duke parë shpifjet e ulëta të Bekim Jasharit, detyrohem t'i përgjigjem! Të gjithë në Skenderaj më njohin dhe e dinë shumë mirë se mua nuk më përkon me karakterin tim, kërcënimi ose presioni. Por po shihet se sipas të gjitha informatave që kemi në terren, Bekimi dhe ekipi i tij janë në panik nga humbja e thellë. Pasi unë dëgjova për rastin e sulmit ndaj një qytetari në Kllodernicë, menjëherë e lajmërova policinë. Më lajmëruan se janë të informuar për rastin dhe se janë nisur për në vend të ngjarjes”, ka shkruar Lushtaku në rrjetet sociale, duke e sqaruar kështu prezencën e tij para qendrës së votimit, raporton Zeri.info.
Sipas Lushtakut, disa qytetarë e kishin sulmuar një tjetër, pasi “nuk ishte bindur të votojë Bekim Jasharin dhe asamblistë nga Vetëvendosja”.
“Unë mbërrita para patrullës së policisë, ku të njëjtët persona që kishin sulmuar qytetarin që nuk është bindur të votojë Vetëvendosjen për asamble dhe Bekimin për kryetar, erdhën dhe ngritën zërin para meje. Unë u tregova se askush nuk mund të detyrojë dikë për të votuar X kandidatin, sepse lufta është bërë që qytetarët të vendosin për të drejtën e tyre pa presion. Fatbardhësisht me ardhjen e patrullës së policisë, pasi i përshëndeta dhe i falënderova për ardhjen, kërkova nga ta që të qëndrojnë afër kësaj qendre të votimit për të mbajtur rend dhe ligj”, ka sqaruar Lushtaku. /Zëri