Afër 27% e qytetarëve kanë votuar deri në orën 15:00
Qytetarët e vendit sot në orët e hershme të mëngjesit u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë, asamblistët dhe kryetarët e 38 komunave.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri në orën 15:00 dalja e qytetarëve në votime në tërë Kosovën ka qenë 26,84%, ose 499.644 qytetarë me të drejtë vote.
Dalja më e madhe e qytetarëve në votime deri në orën 15:00 në komunat me shumicë shqiptare shihet në Prishtinë, Prizreni dhe Gjakovë.
Kurse dalja më e madhe në nivel vendi është në Zveçan, komunë kjo e banuar me shumicë serbe. Atje, deri në orën 15:00 kanë votuar mbi 56 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. Situatë e ngjashme është edhe në komunat tjera veriore të banuara me shumicë serbe, por edhe në ato që gjenden në pjesë tjera të territorit të Kosovës, ku në shumicën nga to përqindja e daljes është nga 40 deri në mbi 50 për qind. /Zëri