Konjufca: Sot qytetarët e Kosovës përmes votës së lirë legjitimojnë pushtetin lokal
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sapo e ka dhënë votën e tij te Fakulteti i Edukimit.
Konjufca pas votimit para mediave ka thënë se sot është ditë e rëndësishme për demokracinë, pasi sipas tij qytetarët përmes votës së lirë legjitimojnë pushtetin lokal, raporton Zeri.info.
“Sot është ditë e rëndësishme për demokracinë, meqenëse qytetarët e Kosovës përmes votës së lirë e demokratike do ta legjitimojnë pushtetin lokal në Republikën tonë”, tha ai.
Sipas Konjufcës, deri më tani gjithçka ka shkuar mirë, teksa uron që të përmbyllet kështu.
“Do t’i zgjedhin kryetarët e komunave dhe do ta përcaktojnë po ashtu përmbajtjen e asambleve komunale nëpër të gjithë komunat e shtetit tonë. Deri tash gjithçka ka shkuar mirë dhe sipas KQZ-së edhe mesa po mësojmë prej misioneve të vëzhgimit dhe monitorimit të zgjedhjeve dhe urojmë që kështu të përmbyllet procesi e gjithçka të shkojë mirë dhe qytetarët t’i kenë ata të cilët e marrin pushtetin lokal sipas votës dhe besimit të qytetarëve të Kosovës”, tha kryeparlamentari. /Zëri