Çitaku: Dilni dhe votoni, demokracia do të jetë fituesja më e madhe e zgjedhjeve

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se sot për qytetarët është ditë vendimtare për të ardhmen katërvjeçare të komunës së tyre.

“Sot është dita vendimtare për të ardhmen katërvjeçare të komunave tona. Sot qytetarët e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre”.

Çitaku tha se këto zgjedhje lokale janë për qytetarët dhe jo për politikanët.

“I ftoj të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin të votojnë. Të rinjtë dhe të rejat, të moshuarit, gratë dhe burrat, prindërit tanë me votën e tyre sot do ta fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës. Pjesëmarrja sa më e madhe në zgjedhje është e rëndësishme për verdiktin demokratik se kush do të udhëheqë me komunat në katër vjetët e ardhshëm”.

Ajo tha se raportimet nga aktivistët e partisë kanë pranuar të dhëna inkurajuese dhe vlerësime pozitive.

“Mbi 8 mijë aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës që janë të angazhuar në zgjedhje po na japin të dhëna inkurajuese dhe vlerësime pozitive. Shpresoj shumë që do të kemi një ditë të mirë ku demokracia do të jetë fituesi më i madh i zgjedhjeve”, tha Çitaku. /Zëri