KQZ-ja fton qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e votimit

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka dhënë detaje për procesin e votimit që ka filluar nga ora 07:00.

Elezi në një konferencë për media theksoi se procesi i votimit ka filluar me kohë në të gjitha qendrat e votimit.

“Në orën 7 të mëngjesit janë hapur të gjitha vendvotimet në të gjitha qendrat e votimit në Republikën e Kosovës. Numri i qendrave të votimit ku ka filluar procesi i votimit është 883 e gjithsej 2477 vendvotime”, ka thënë Elezi.

Ai po ashtu bëri të ditur edhe numrin e përgjithshëm të qytetarëve që do të votojnë në këto zgjedhje.

“Zgjedhjet mbahen për të zgjedhur 38 kryetar të komunave 1002 anëtarët e Kuvendeve Komunale. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar për të marrë pjesë në këto zgjedhje është 5364 kandidatë. Numri i përgjitshëm i qytetaarëve është 1 milion e 885 mijë e 448”, tha Elezi.

Elezi ftoi të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë të drejtën e votimit.

“KQZ-ja fton të gjithë qytetarët me të drejtë vote që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese të drejtën e votës dhe të dalin për të votuar. Gjithashtu, në këtë orë të parë të fillimit të procesit të votimit, njoftojmë të gjithë votuesit se në ëebfaqen e KQZ-së, kqz-ks.org, është dukë vazhduar të funksionojë aplikacioni përmes të cilit çdo qytetar mund ta mësojë vendovotimin e tij të saktë”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. /Zëri