Nis heshtja zgjedhore, tash gjithçka në dorën e sovranit

Fushata zgjedhore 30 ditore nga partitë politike për zgjedhjet lokale të 17 tetorit është mbyllur sot, ashtu siç parashihet me Ligjin për Zgjedhjet në Kosovë.

Kandidatët për kryetar të komunave të partive të ndryshme, bashkë me kandidatët për asambletë komunale, kanë shpalosur programet e tyre zgjedhore nga 16 shtatori e deri më sot, shkruan Zeri.info.

Ndonëse partitë politike u pajtuan që fushata të zgjasë vetëm 5 ditë për shkak të situatës me COVID-19, pothuajse asnjëra nga to nuk e zbatoi këtë zotim.

E gjatë kësaj fushate, kandidatët për kryetar të komunave premtuan zgjerim të rrugëve, zgjidhjen e problemit me qenët endacakë, investime në fusha të ndryshme, ndihmë për bizneset, mundësi për punësim e shumë premtime të tjera.

Në mesnatën e 16 tetorit nis heshtja zgjedhore e cila do të zgjasë deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve, që është ora 19:00 e së dielës.

Në ditën e heshtjes zgjedhore nuk lejohet asnjë lloj fushate zgjedhore nëpërmjet medias, si dhe zhvillimi i veprimtarive të tjera zgjedhore të partive apo kandidatëve.

Ndërkaq, të dielën sovrani do t’i drejtohet kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin dhe asamblistët që mendoj se do t'i përfaqësojë më së miri interesat e tij/saj.

Çka thotë Ligji për Zgjedhjet dhe nenet që ndalojnë veprimtaritë e partive politike?

Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, Neni 36., 24 orë para hapjes së Qendrave të Votimit ndalohet çdo veprim i subjekte politike që mund të ndikojë tek votuesit.

“1 Njëzetekatër (24) orë para hapjes së Qendrave të Votimit për hedhjen e votës, e deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike, mbështetësve ose kandidatëve të tyre u ndalohet secili prej veprimeve si më poshtë: a) shpërndarja ose shfaqja në mënyrë tjetër në ndonjërën nga Qendrat e Votimit, ose 100 metra brenda hapësirës së të njëjtës, e çfarëdo lloj materiali me qëllim ndikimi tek votuesit; b) bërja e fushatës në çfarëdo mënyre”, thuhet në Nenin 36, tëLigjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.

Poashtu në të njëjtin Ligj specifikohet se edhe mediat ndalohet të publikojnë çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës, 24 orë para hapjes së vendvotimeve.

“1 Asnjë person ose medium nuk transmeton ose publikon çfarëdo materiali që i takon aktivitetit të fushatës gjatë periudhës që fillon njëzetekatër (24) orë para hapjes së vendvotimeve deri në mbylljen zyrtare të vendvotimeve. 52.2 Në Kosovë nuk bëhet asnjë publikim ose transmetim i rezultateve të hulumtimit të opinionit publik që ka të bëjë me fushatën e zgjedhjeve, duke përshirë daljen në votime, gjatë periudhës që fillon 24 orë para mbylljes zyrtare të vendvotimeve dhe deri në përmbylljen e procesit zgjedhor”, thuhet tutje në Nenin 52, të po këtij Ligji.

Në ndërkohë sipas Nenit 38., të po këtij Ligji, konsiderohet shkelje administrative dhe e dënueshme me gjobë nga Komisioni i Zgjedhjeve për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP).

“38.1 Shkelja e njërit nga këto nene të Kodit të Sjelljes të paraqitur në këtë Kapitull, në rastet kur këto shkelje nuk kanë ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve, konsiderohet shkelje administrative dhe e dënueshme me gjobë sikurse është përcaktuar nga KZAP-i. 38.2 Shuma e gjobës përcaktohet në bazë të nenit 146 të këtij ligji. 38.3 Shkeljet e Kodit të Sjelljes të përcaktuara nga KZAP-i të cilat kanë tentuar të ndikojnë rezultatet e zgjedhjeve paraqesin vepër penale sipas Kodit Penal të Kosovës”, thuhet tutje në Ligj. /Zëri