Mehmeti: Mbështetjen që e kemi pasur gjatë gjithë fushatës e kërkojmë edhe të dielën
Kandidati i AKR-së për kryetar të Prishtinës, Gëzim Mehmeti ka mbyllur fushatën zgjedhore prej 30 ditësh, për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor.
Mehmeti ka thënë se mbështetjen që e kanë pasur gjatë gjithë fushatës i njëjti e kërkon edhe të dielën vendimtare.
“Mbështetjen që kemi pasur gjatë gjithë fushatës e kërkojmë edhe të dielën vendimtare. Votoni AKR me numër 149, me Gëzim Mehmetin si zgjedhja e demokracisë, transparencës dhe bashkëqëverisjes si dhe kandidatët e listës sonë për Kuvend Komunal!”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Ai përmes një video-mesazhi tha se shumë punë të mira e presin dhe i njëjti tha se si kryetar i ardhshëm i PRishtinës do t’i realizojë ato me përgjegjësi të plotë.
“Të dashur qytetarë të Prishtinës, meqenëse jemi në ditën e fundit të fushatës e ndjej obligim moral të ju falënderojë nga zemra secilit nga ju për përkrahjen e parezervë që ma keni dhënë. Bashkë me ju kemi parë nga afër e kemi biseduar për punën e mirë që është bërë gjatë mandatit tim si drejtojë dhe për më shumë punë të mira që na presin e për këtë zotohem se si kryetar i ardhshëm i Prishtinës do t’i realizojë më përgjegjësi të plotë”, tha Mehmeti. /Zëri