Uran Ismaili me aktivitet 24-orësh, pa ndërprerje

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sot ka filluar me realizimin e iniciativave të tjera shumë unike.

Ai ka njoftuar se ka filluar një aktivitet 24-orësh, pa ndërprerje të takimeve, vizitave dhe diskutimeve, me njerëz e institucione që kryejnë shërbime 24/7, për nevojat e qytetarëve.

“Kjo është një sfidë personale, edhe për mua. Por unë jam i shtyrë nga bindja ime e fortë: puna e kryetarit është 24/7. Për mua nuk ka mënyrë tjetër për ta bërë transformimin e madh të qytetit”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka thënë se qytetarët nuk meritojnë asgjë më pak se një kryetar komune i cili është 100 për qind i përkushtuar për të rregulluar problemet e tyre.

Ismaili e ka nisur ditën me një konferencë për media në orën 08:00 dhe gjatë 24 orëve në vazhdim do t’i zhvillojë një mori të takimeve të pandërprera dhe në fund ta përmbyllë përsëri me një konferencë tjetër. /Zëri