Mehmeti: Dihet buxheti i komunës, nuk premtoj ndryshime radikale
Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga radhët e AKR-së, Gëzim Mehmeti para banorëve të lagjes Bregu i Diellit, shpalos një pikë të rëndësishme e programit, atë të sektorit të shëndetësisë.
Mehmeti tha se pandemia na tregoi që kemi mungesë të shtretërve në spitale e QKMF-të dhe aty shpalosi investimet që do të bëhen në këtë sektor. Ai tha se “përmes një çante digjitale do të monitorohet gjendja shëndetësore e pacientëve edhe nga distanca”.
“Çanta do të jetë online 24 orë dhe është e pajisur me të gjithë aparaturat të cilat kontrollojnë parametrat shëndetësorë. Në rast të përkeqësimit të gjendjes së pacientit alarmohet emergjenca”, theksoi Mehmeti.
Para banorëve, ai tha se nuk do të premtojë ndryshime radikale “kur dihet buxheti i komunës” por do mundohet të jetë sa më afër qytetarëve sepse vizioni i “Smart City” është bashkëqeverisja me qytetarin, ku roli i pushtetit ndahet 50 \50.
Kujtojmë se zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor, dita kur qytetarët zgjedhin kryetarin për komunat e tyre.
Në garë për Prishtinën janë Arben Vitia nga LVV-ja, Përparim Rama nga LDK-ja, Uran Ismaili nga PDK-ja dhe Daut Haradinaj nga AAK-ja. /Zëri