KQZ-ja nesër do t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve
Në një konferencë për media, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se të enjten do të shpallen rezultatet përfundimtare për subjektet politike dhe për kandidatët, raporton “Zeri.info”.
Elezi ka thënë se janë pothuajse në përfundim të numërimit të votave nga diaspora, teksa thotë se deri në orët e mbrëmjes numërimi i tyre do të përmbyllet.
“Jemi pothuajse në përfundim të numërimit të fletëvotimeve nga jashtë Kosovës, deri në orët e mbrëmjes numërimi i këtyre fletëvotimeve do të përmbyllet, pas përfundimit Qendrës së Numërimit të Rezultateve i duhen disa orë kohë për t’i kryer procedurat e parapara për të përmbyllur administrimin për rezultatin e zgjedhjeve. Ju njoftojë se rezultatet do të shpallen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në ditën e enjte, më 4 mars”, tha ai.
Po ashtu ai theksoi se pas publikimit të rezultateve subjektet politike kanë kohë 24 orë që të paraqesin ankesa në PZAP.
“Pas shpalljes së rezultateve subjektet politike dhe kandidatët kanë kohë 24 orë për t’i paraqitur ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor”, ka thënë Elezi. /Zëri