Përmbyllet procesi i vlerësimit të votave nga diaspora, refuzohen mbi 20 mijë zarfe
Mbi 20 mijë zarfe me vota të supozuara nga diaspora janë refuzuar gjatë procesit të vlerësimit të tyre.
Kështu ka bërë të ditur sot, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka njoftuar se mbrëmë pas mesnate është përmbyllur procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës së votimit përmes postës nga 2 deri më 12 shkurt, transmeton Zeri.info.
“Sipas të dhënave preliminare, janë aprovuar rreth 53 mijë e 600 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 20 mijë e 400 zarfe. Këto janë vetëm të dhëna preliminare, sepse shërbimi votues është duke rishikuar bazën e të dhënave nga ku do të kemi të shifra e sakta dhe përfundimtare të numrit të fletëvotime nga jashtë vendit të cilat do të numërohen këtu në QNR”, ka thënë Elezi.
Po ashtu është bërë e ditur se deri më tani janë rinumëruar rreth 88% apo 487 vendvotime nga 552 sa është numri i përgjithshëm i tyre dhe po punohet që ky proces të përfundoi gjatë ditës së sotme.
Elezi ka bërë të ditur gjithashtu se nesër pritet të nis numërimi i votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta dhe pas tyre numërimi i votave me postë.
“Po punojmë shumë që nesër gjatë ditës të mund të fillojmë me numërimin e rreth 31 mijë e 500 votave me kusht dhe dhe rreth 2 mijë e 800 votave të personave me nevoja të veçanta. Pastaj, edhe numërimin e votave të cilat kanë ardhur përmes postës”, ka bërë të ditur Elezi./Zëri