Paralajmërohet padi për lejen ujore për hidrocentralin “Brezovica”

Organizatat joqeveritare GAIA dhe GLPS kanë njoftuar se të premten do të paraqesin padi për konflikt administrativ kundër lejes ujore për hidrocentralin “Brezovica” në Komunën e Shtërpcës, të lëshuar nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit.

Ky hidrocentral është një nga katër hidrocentralet e ndërtuara nga kompania “Matkos” në Shtërpcë. Organizatat janë ankuar se ka pasur shumë shkelje në këtë proces.

“Procedura e cila u ka paraprirë lëshimit të lejeve dhe licencave për këto 4 hidrocentrale ka qenë jotransparente dhe ka përjashtuar tërësisht publikun nga vendimmarrja. Pavarësisht kërkesave të shumta të organizatave paditëse Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk u ka dërguar dokumentet e kërkuara që kanë të bëjnë me mbajtjen e debateve të publike dhe procedurave të tjera ligjore”, thuhet në njoftim të këtyre dy organizatave. “GLPS dhe GAIA konsiderojnë se procesi që i ka paraprirë lëshimit të Lejes Ujore per HC Brezovica, si dhe lejeve/vendimeve tjera të cilat Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit nuk ua përcjell organizatave paditëse, ka pasur shkeljet ligjore si në vijim: (i) mungesa e debatit publik apo njoftimit adekuat të publikut për të, (ii) mohimi i të drejtës së banorëve të Shtërpcës për ujë të pijshëm dhe të ujitjes, (iii) degradimi i natyrës e cila rrethon lumenjtë dhe përtej saj, si dhe (iv) ndërtimi i kundërligjshëm në zonën e mbrojtur Parku Kombëtar Sharr”.

Dy organizatat kanë thënë se synojnë të anulojnë të gjitha lejet ujore/mjedisore dhe vendimet tjera të lëshuara në këtë proces, si dhe të shtyjnë ekzekutimin e tyre derisa gjykata të marrë një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e procesit./eo