Mbi 9 mijë fletëvotime të ardhura me postë janë shpallur të pavlefshme
Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është duke vazhduar punën Shërbimi Votues, i cili po bën vlerësimin e rreth 43 mijë e 500 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat janë pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës.
Përmes këtij procesi do të mundë të saktësohet numri i fletëvotimeve, të cilat kanë ardhur nga jashtë vendit.
Sipas të dhënave të ofruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani janë hapur 19 mijë e 168 pako të supozuara me fletëvotime, që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, ku siç dihet brenda një pakoje mund të ketë më shumë se një zarf me fletëvotim.
Pas vlerësimit janë aprovuar 22 mijë e 326 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 9 mijë e 49 zarfe me fletëvotime.
KQZ-ja thotë se arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme.
Disa prej këtyre pakove thuhet se janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës e disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit.
Po ashtu në disa raste pakot u tha se janë dërguar nga votues të paidentifikuar, ose ndryshe që njihet si “votim grupor”, ose se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente të pavlefshme. /EO