KQZ: 4 mijë 950 zarfe janë refuzuar me vota nga diaspora
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar procesimi i të dhënave të formularëve të rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike, skanimi i listës përfundimtare të votuesve, si dhe procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime të cilat kanë ardhur nga jashtë Kosovës.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi në një konferencë për media nga QNR-ja ka thënë se deri më tani nga 16.800 pako, janë vlerësuar 11.800 zarfe me fletëvotime dhe 4.950 janë refuzuar.
“Deri më tani nga rreth 16 800 pako të supozuara me fletëvotime që i janë nënshtruar procesit të vlerësimit, janë aprovuar rreth 11 800 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar rreth 4 950 zarfe me fletëvotime. Arsyet e refuzimit të tyre janë të ndryshme dhe tashmë i kemi bërë të ditura edhe dje”, ka thënë Elezi.
Po ashtu, ai ka treguar edhe arsyet e refuzimit të zarfeve.
“Disa prej këtyre pakove janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës; disa të tjera për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Po ashtu, në disa raste pakot janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor); apo se në pakon që kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jo-valide”, ka deklaruar Elezi./Zëri