AKR-ja dyshon për manipulim, kërkon rinumërim të votave të kandidatëve për deputetë
Aleanca Kosova e Re (AKR) ka vlerësuar lart organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 14 shkurtit.
Sipas AKR-së, procesi zgjedhor në numrin e votave të partive politike ka shkuar në rregull deri në momentin kur ka filluar të numërohen votat për kandidatët për deputetë, për të cilët ka kërkuar rinumërim, transmeton “Zeri.info”.
“Shumë informata që kanë arritur nga terreni tregojnë qartë se rezultatet brenda listës janë manipuluar nga komisionarët e papërgjegjshëm në qendrat e votimit.
Andaj, për një garë të drejtë e korrekte është shumë logjike që duhet të bëhet rinumërimi i votave të kandidatëve në listën e LDK-së”, thuhet në një reagim të AKR-së.
Ata kanë kërkuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) që të marrë vendim për rinumërim të plotë të të gjitha fletëvotimeve në tërë territorin e Kosovës dhe jo vetëm kutit e votimit, ku sipas tyre manipuluesit e votave nuk kanë qenë të aftë të fshehin krimin e tyre.
“Aleanca Kosova e Re këtë kërkesë do ta mbështesë edhe me faktet që janë mbledhur përmes anëtarëve të vet, të cilat flasin për parregullsi gjatë numërimit dhe bartjes së rezultateve në formularin e përputhjes se të dhënave dhe rezultateve brenda listës.
Rinumërimi i plotë i fletëvotimeve do të eliminonte edhe pakënaqësitë që tashmë kanë filluar të dalin në shesh nga kandidatët dhe ankesat e tyre për manipulim të votave të brendshme”, thuhet në reagimin e AKR-së.
Më tej thuhet se Aleanca për Kosovë të Re do të angazhohet që të respektohet në tërësi vullneti i secilit votues, pavarësisht rezultatit që mund ta kenë subjektet politike, në këtë rast edhe AKR-ja. /Zëri