Haliti tregon arsyet pse humbi PDK-ja
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, ka rënditur disa arsye pse PDK-ja në këto zgjedhje pati rënia dhe mori një rezultat jo të mirë duke u renditur subjekti i dytë politik.
Ai tha se disa nga arsyet pse PDK-ja pati një rezultat të tillë janë, mbajtja e gjatë e pushtetit, propaganda për keqpërdorim të pushtetit dhe fryma e krijuar.
Por tutje ai u shpreh optimist se shumë shpejt do ta rikthejnë dhe rikuperojnë rezultatin.
“Mendoj që zhurma dhe propaganda e madhe kundër PDK-së për keqpërdorim të pushtetit, mbajtja e gjatë e pushtetit dhe fryma e krijuar ka bërë rolin e vet për rezultatin në këto zgjedhje.Po besoj që shumë shpejt do ta rikuperojmë këtë humbje” tha shkurt Haliti.
Sa i përket dorëheqjeve të mundshme dhe marrjes së përgjegjësive nga drejtuesit e partisë, Haliti u përgjigj kështu.
“Atë e diskutojmë brenda në parti”
Ndërsa, Blerta Deliu, kandidate për deputete nga PDK-ja, tha se pasi të marrin rezultatin përfundimtar do të ulen të bëjnë një analizë të gjithë procesit zgjedhor.
Ajo theksoi se tani për tani po presin përfundimin e procesit të numërimit të votave.
“Ende nuk kemi bërë analizë të procesit politik edhe të rezultateve, na duhet si subjekt politik me u ul edhe me e diskutu çështjen. Ende nuk i kemi rezultatet përfundimtare për me e pa gjendjen, po presim përfundimin e procesit” tha Deliu për gazeten Blic.
Ndërsa sa i përket marrjes së përgjegjësive për këtë rezulatat, Deliu tha se është ende herët të flitet për këtë çështje duke potencuar se edhe zgjedhjet janë mbajtur në rrethana të pazakonta.
“Ne nuk deklarohemi në lidhje me përgjegjësinë pa e parë procesin përfundimisht, edhe ashtu zgjedhjet kanë qenë në rrethana të pazakonta, edhe për shkak të procesit të Gjykatës Speciale, kështu që është herët të kërkohet përgjegjësi prej dikujt pa e pa rezultatin dhe gjendjen përfundimtare”.
Partia Demokratike e Kosovës ka patur rënie të thellë në zgjedhjet e 14 shkurtit, krahasuar me ato të vitit 2019.
Ky subjekt politik u rendit i dyti, duke lënë pas LDK-në por shumë prapa vendit të parë, LVV-së.
Pas këtij rezultati ishte kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci i cili vjen nga PDK-ja, që ka kërkuar largime dhe mbajtje të përgjegjësive për rezultatin e dobët në këto zgjedhje. /Gazeta Blic