KQZ tregon se kur do të numërohen votat me kusht dhe me postë

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve që nga dita e diel po bëhet punë për të nxjerrë rezultatin final të zgjedhjeve të parakohshme.

Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, ka thënë që i gjithë materiali i ndjeshëm tashmë është brenda QNR-së.

“Pas procesit të numërimit të fletëvotimeve në vendvotim, i gjithë materiali paketohet dhe dërgohet në QNR. Pranimi i materialit nga të gjitha komunat ka ndodhur me datën 15 shkurt, në orët e herhshme të mëngjesit dhe ka vazhduar deri në mesnatë”.

Ahmetaj në Edicionin Special në Klan Kosova, tha që pritet që brenda disa ditëve të nisë numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat që kanë arritur përmes postës.

“Kemi shumë procese tjera për t’i kompletuar. Bëhet fjalë për skanimin e listës përfundimtare të votuesve e cila është procesi i parë që bëhet”.

“Pastaj, do të fillojë regjistrimi i të gjithave votave me kusht dhe do të kontrollohen të gjitha të dhënat e votuesve që kanë votuar në ditën e zgjedhjeve  në mënyrë që të fillojë numërimi i votave me postë dhe me kusht”.

“Përkundër faktit që QNR po punon në tri ndërrime, deri në certifikimin e rezultateve, kemi edhe shumë procese  përpara që nuk mund të themi për sa ditë bëhet fjalë, por do të punojmë intensivisht që t’i kryejmë të gjitha këto procese”.