Mustafa: Votat tona shkuan në LVV, s’patëm sinjale se largimi i Osmanit do të ndikonte në rënien e LDK-së

Kryetari në dorëheqje i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është deklaruar për media pas mbledhjes së kësaj partie.

Mustafa ka thënë se LDK-ja do të vazhdojë të punojë në mënyrë normale teksa theksoi se nuk ka dorëheqje të kryetarëve të degëve, raporton Zeri.info

“LDK-ja do të vazhdojë në mënyrë normale të punojë, t’i bëjë organizimet dhe ndryshimet e brendshme që nevojiten. Por kurrsesi nuk ka as dorëheqje të kryetarëve të degëve as pranim të dorëheqjeve të tyre”, tha ai.

Po ashtu, Mustafa tha se brenda 60 ditëve do të mbajnë mbledhjen e radhës për të vendosur për kryetarin e kësaj partie.

“Do të mundohemi sa më shpejt të kemi propozime prej Degëve dhe prej Kryesisë dhe ta përmbyllim këtë proces sa më shpejtë. Afati më i gjatë i mbledhjes është 60 ditë, ne nuk do ta presim 60 ditshin, do të bëjmë përpjekje që diku në mesin e marsit ta përmbyllim këtë proces”, tha Mustafa.

Kreu në dorëheqje i LDK-së ka deklaruar i bindur se pavarësisht të gjithave, LDK-ja do të rikthehet më fuqishëm në të ardhmen dhe sipas tij qytetarët do ta shohin se çfarë kanë bërë.

“Është vështirë të japë përgjigje sepse nuk e kemi pritur në asnjë vend këtë rezultat dhe nuk kemi pas asnjë vlerësim të tillë që kandidati Hoti e ka bërë në fushatë. Ka ndodh një rrëshqitje e votës, qytetarët mund ta dinë pse e kanë bërë atë, por jam shumë i bindur që LDK-ja ka arsye dhe ka pas që ta ruajë programin e vet qendrës së djathtë, ta ruajë trashëgiminë e vet dhe do të rikthehet edhe më fuqishëm në të ardhmen, qytetarët do ta shohin çfarë kanë bërë”, tha ai.

Ndërkaq, ai ka thënë se gjatë fushatës nuk ka pasur asnjë sinjal se largimi i Vjosa Osmanit do të ndikojë në votën për LDK-në. Megjithatë, ai e pranon se vota e 2019-ës e LDK-së tani ka shkuar në LVV.

“Derisa kemi zhvilluar fushatë s’kemi pasur asnjë sinjal që ka ndikuar Vjosa Osmani në rënien e LDK-së. Vota jonë ka shkuar në LVV, njerëzit që kanë votuar para një viti e gjysmë për ne, kanë votuar Vetëvendosjen, e kanë votuar ndryshimin që ata e kanë promovuar. A ia kanë qëlluar apo s’ia kanë qëlluar, do ta shohim”, ka thënë Mustafa.

Ai është shprehur po ashtu se si kryeministër e di kapacitetin e një qeverie se sa mund të punojë, teksa për LVV-në tha se shansin e kanë që të tregohen.

“Këta do të duhet të tregojnë se a do t’i plotësojnë ato premtime që ua kanë dhënë qytetarëve. Unë e di sa ka kapacitet qeveria që të realizojë premtimet që janë bërë sepse kam qenë kryeministër, unë kam dëshirë që Kosova të prosperojë. Shansin e kanë që të tregohen”, ka përfunduar kreu në dorëheqje i LDK-së, Isa Mustafa.

LDK-ja në këto zgjedhje doli e treta, por me rezultat shumë të dobët – më të dobëtin në historinë e saj që nga themelimi, me vetëm pak mbi 13% të votave të fituara. /Zëri