124 ankesa për thyerje të heshtjes zgjedhore, gjobat deri në 50 mijë euro

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka pranuar 124 ankesa për thyerje të heshtjes zgjedhore. Këtë e ka konfirmuar për Express, Mulë Desku, kryesues i sekretariatit te PZAP’it.

Sipas tij gjatë tërë procesit zgjedhor e deri më tani janë paraqitur 524 ankesa dhe apele.

“Në PZAP-i për gjithë procesin zgjedhor deri me tani janë paraqitur gjithsejte 524 ankesa dhe apele prej tyre ka pranuar 124 ankesa për thyerjen e heshtjes zgjedhore. Ankesat janë në procedure te shqyrtimit dhe lidhur me këto ankesa PZAP-i do te vendos brenda afatit ligjor”, ka thënë ai për Express.

 

Desku theksoi se afati për vendosjen e këtyre ankesave është 72 orë nga momenti i dorëzimit të tyre.

“Afati për vendosjen e këtyre ankesave nga Paneli është 72 ore nga momenti i dorëzimit të ankesave në PZAP dhe me këto vendime do te njoftohen palët me kohe”, ka thënë më tutje ai.

E gjoba për një shkelje ndaj subjekteve politike, sipas Deskut mund të arrijë në 50 mijë euro.

“PZAP- mund të shqiptoj gjoba ndaj subjekteve politike ne vlere deri në 50,000.00 euro për një shkelje”, ka thënë ai për Express.

Kujtojmë që të dielën Kosova ka mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Fituese e këtyre zgjedhjeve doli të jetë Lëvizja Vetëvendosje me 47.96% të votave.

E dyta në këto zgjedhje doli të jetë Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 17.24% të votave.

E treta u rendit Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.10% të votave, e pasuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK?), me 7.39% të votave.

Kujtojmë që Nisma Socialdemokrate dështoi ta kalojë pragun zgjedhor.

Në zgjedhjet e së dielës kjo parti mori vetëm 2.58% të votave./ Zëri