Ahmeti: LDK-ja shpëtoi që u largua nga qeveria, LVV-ja po e merr pushtetin në momentin më të keq

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjet ishin shpëtim për ish-kryeministrin Avdullah Hoti dhe LDK-në.

Sipas tij, ndryshimet në qeveri u bënë në momentin më të vështirë ekonomik e financiar të vendit që nga paslufta.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe zgjedhjet në fakt ishin shpëtim për Avdullah Hotin dhe për LDKnë. E larguan nga qeverisja në momentin më të vështirë ekonomik e financiar të Kosovës pas luftes. E poashtu edhe inicuan ndryshimet në LDK që nuk do të fillonin pa këtë debakël”, thotë Ahmeti përmes një shkrimi të tij në Facebook, raporton Zeri.info.

Por, ai thotë se kjo është koha më e keqe që LVV-ja ta marrë qeverisjen.

“Në anën tjetër, pa marr parasysh rezultatin, kjo është koha më e keqe për LVV për ta marr qeverisjen. Pritjet janë joreale në kohën kur financat e shtetit dhe ekonomia janë buzë greminës”, thotë tutje Ahmeti.

Kryetari i kryeqytetit thotë se prioriteti i vetëm i kësaj qeverie duhet të jetë ekonomia dhe vetëm ekonomia.

“Kriza potenciale e zgjedhjes së presidentit duhet të menjanohet shumë shpejtë. Dialogu në asnjë mënyrë nuk mund të jetë prioritet. Të vetmet tri prioritete duhet të jenë ekonomia, ekonomia dhe ekonomia”, përfundoi Shpend Ahmeti. /Zëri