Von Cramon përgëzon Kosovën për zgjedhjet, thotë se qeverinë e re e pret dialogu me Serbinë
Kosova mbajti zgjedhjet e parakohshme parlamentare në 14 shkurt 2021, për herë të tretë në më pak se katër vjet.
Përkundër kohës së shkurtër për përgatitjet dhe pandemisë COVID-19, pati një garë të lirë dhe të ndershme për zgjedhjet. Pjesëmarrja e përgjithshme ishte më e lartë se herën e kaluar (45.5%) dhe Lëvizja Vetëvendosje pati më shumë vota, 48.17%, sipas rezultateve preliminare.
Viola von Cramon-Taubadel, Raportuesja e Përhershme për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe Shefe e Vëzhguesve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të vitit 2019, tha se procesi zgjedhor shkoi pa probleme, duke përgëzuar LVV-në.
“Do të doja të përgëzoja fituesit e zgjedhjeve dhe gjithë vendin që organizuan këto zgjedhje në një mënyrë të rregullt në këto kohë të paprecedenta. Pandemia nuk bëri të mundur organizimin e një Misioni të plotë për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga BE-ja (EOM), por në vend të kësaj nga Ekipi Zgjedhor i Ekspertëve dhe Zyra Evropiane në Prishtinë dhe rreth 500 vëzhgues lokalë në terren, informacionet fillestare sugjerojnë që zgjedhjet shkuan kryesisht në mënyrë të rregullt", tha ajo.
Megjithatë, ajo tha se pati probldme me votat e diasporës, duke i vënë fajin KQZ-së.
"Problemet dhe vështirësitë në lidhje me votat e diasporës janë për të ardhur keq dhe disa vendime të KQZ-së e bënë të pamundur për shumë qytetarë të ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike", theksoi ajo në një deklaratë për mediat, raporton Zeri.info.
Pjesëmarrja relativisht e lartë, mjedisi transparent dhe gjithëpërfshirës, sipas saj, janë një sukses për të gjithë vendin.
Tani për tani, Von Cramon tha se parlamenti i ri do të formojë një qeveri të re, me një shumicë të fortë dhe të qëndrueshme në mënyrë që të adresojë një numër çështjesh të ngutshme në Kosovë.
"Kjo do të duhet të përfshijë një numër reformash në sferën ekonomike dhe sociale dhe struktura të qarta qeveritare, përfshirë kornizën institucionale për të mbështetur procesin e integrimit në BE. Që nga zgjedhjet e fundit legjislative në tetor 2019, asnjë nga rekomandimet tona nga EOM nuk është zbatuar. Për të përmirësuar kushtet zgjedhore, puna e reformave duhet të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur", theksoi Raportuesja e Përhershme për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Përveç kësaj, Von Cramon tha se një qeveri e re do të duhet të avancojë drejt rrugës evropiane, ai dhe të vazhdojë dialogun me Serbinë, "sepse pa ndonjë marrëveshje me Beogradin, stabiliteti afatgjatë dhe perspektiva evropiane nuk do të jenë të mundshme".
"Komuniteti transatlantik në Bruksel dhe Wshington janë të gatshëm të angazhohen me udhëheqjen e re, të zgjedhur në mënyrë demokratike të Kosovës", përfundoi Viola Von Cramon. /Zëri/