Vuçiqi deklarohet për zgjedhjet në Kosovë, ironizon me një politikane

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka përgëzuar Listën Serbe për fitimin e shumicës së votave të serbëve në zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

Vuçiq ka thënë se fitorja e Listës Serbe është e rëndësishme pasi tha se “po përballemi me një periudhë të vështirë”.

“Unë i përgëzoj njerëzit tanë. Kjo është një gjë e rëndësishme, sepse po përballemi me një periudhë të vështirë”, tha Vuçiq për televizionin serb, TV Pink.

Vuçiq komentoi mbi faktin se Lista Serbe fitoi mbi 99% të votave në Mitrovicën e Veriut, duke ironizuar me kundërshtaren e tyre, Rada Trajkoviq.

“Si ndodhi që Rada Trajkoviq nuk mori asgjë? Duket se njerëzit e dinë kush po bën për njerëzit tanë atje dhe kush po mundohet vetëm për interes të tyre”, tha Vuçiq, transmeton Gazeta Express.

Nga 99.25% të votave të numëruara, Lista Serbe i ka marrë 5,56% të tyre, apo 43 mijë e 746 vota.