Pas humbjes së LDK-së edhe në Pejë, reagon Muhaxheri

Pas rezultatit të zgjedhjeve të djeshme, ku LDK-ja doli në vendin e tretë me vetëm 13,18% të votave, pati shumë reagime.

Kryesia e LDK-së, në krye me liderin e saj Isa Mustafa, njoftoi se ka dhënë dorëheqje.

LDK-ja, përpos që u rendit e treta me rezultatin më të dobët në histori, ka pësuar humbje edhe në bastionet e saj, në komunat që udhëhiqen nga kjo parti.

Ndër to është edhe Peja, e kryetari i saj, Gazmend Muhaxheri ka falënderuar votuesit duke shtuar se do të punojnë për fitoren e LDK-së.

“Të dashur qytetarë të Komunës së Pejës,Të dashur veprimtarë, anëtarë dhe simpatizantë të LDK-së,Faleminderit përzemërsisht për besimin që na keni dhënë në vazhdimësi! Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor shembullor dhe kjo tregon kulturën tonë demokratike të shkëlqyer. Ne do të angazhohemi për ndryshimet e nevojshme dhe do të punojmë për fitoren e LDK-së”, thotë Muhaxheri përmes një shkrimi në Facebook. /Zëri