Quni uron Vetëvendosjen për fitoren në zgjedhje

Ministri në detyrë i Mbrojtjes nga radhët e LDK-së, Anton Quni, ka reaguar pas rezultateve të zgjedhje, ku partia e tij radhitet e treta.

Quni ka vlerësuar qytetarët për përgjegjësinë që kanë treguar duke marrë pjesë në zgjedhjet e së dielës, ndërsa ka përgëzuar KQZ-në për organizimin e zgjedhjeve.

Ai ka uruar edhe kundërshtarin e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, për fitore në këto zgjedhje, transmeton “Zeri.info”.

“Të dashur qytetarë. Në ditën e zgjedhjeve qytetarët e Republikës së Kosovës arritën të tregojnë përgjegjësinë më të lartë qytetare, duke marrë pjesë masovikisht në një proces demokratik zgjedhor. Njëkohësisht, përgëzime për institucionet përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, të cilat treguan standardet e një kulture të lartë institucionale. Gjej rastin të uroj fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje, për rezultatin e arritur në zgjedhje”, ka shkruar Quni në një status në “Facebook”.

Quni ka shprehur bindjen e tij se LDK-ja do të vazhdojë të mbetet konstruktive dhe të mbështesë proceset demokratike që konsolidojnë shtetësinë e Kosovës, si dhe funksionimin demokratik të institucioneve.

“Ju faleminderit pa fund për gjithë përkrahjen tuaj e posaçërisht për shkallën e maturisë dhe pjekurisë; duke radhitur Kosovën përkrah shteteve me demokracitë më të zhvilluara për standardet e larta të këtij procesi zgjedhor. Do të vazhdoj të punoj me dedikimin më të lartë edhe gjatë periudhës tranzicionale të ministrit në detyrë; ndërsa ju siguroj se do mbetem përgjithmonë i përkushtuar për t’i shërbyer atdheut, pavarësisht se cili rol më besohet, në kuadër të LDK-së, për shkak të rrethanave, proceseve politike ose zhvillimeve historike. I juaji, Antoni”, ka shkruar ai. /Zëri