Hoti: Rezultatet e sotme nuk janë ato që i kemi pritur
Kandidati i LDK-së për kryeministër, njëherësh kryeministër në detyrë, Avdullah Hoti, ka folur pas rezultateve të zgjedhjeve të cilat e vendosin partinë e tij si të tretën.
Hoti në një konferencë për media, ka falënderuar votuesit ndërsa ka thënë se rezultati nuk është që LDK-ja dhe ai personalisht e ka pritur.
“Ju falënderoj për besimin e dhënë, rezultatet preliminare që kemi marrë tregojnë se janë tjera nga ato që kemi pritur dhe që kam pritur unë personalisht”, ka thënë Hoti, transmeton Zeri.info.
Ai ka thënë se në ditët në vazhdim do të diskutojnë bashkë me kryesinë e LDK-së rezultatin dhe tha se do të marrë përgjegjësi për këtë.
“Unë para jush dëshiroj të shprehem qartë se kam marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutoj gjerësisht me organet e LDK-së për këtë përgjegjësi timen në këto zgjedhje”, ka thënë ai.
Tutje Hoti tha se pret nga KQZ-ja që sa më parë të përmbyll numërimin e votave dhe të bëhet certifikimi në mënyrë që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të dala nga këto zgjedhje. /Zëri