Hoxhaj uron Vetëvendosjen, përjashton koalicionin paszgjedhor

Kryetari në detyrë i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka mbajtur një konferencë për media, ku ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve të sotme, nga të cilat, sipas rezultateve preliminare, PDK-ja është e dyta, pas LVV-së.

“Procesi i sotshëm zgjedhor tregoi se jemi shembull për vendet e rajonit. Qytetarët e Kosovës kanë folur dhe vullneti i tyre politik duhet të respektohet. Rezultati i sotëm e vë Lëvizjen Vetëvendosje në pozitën e parë në jetën tonë politike ndërsa PDK-në në pozitën e dytë dhe padyshim që ky është mesazh i qartë që ne si kryesi e PDK-së e kemi pranuar si të tillë”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ndërkaq ka uruar Vetëvendosjen për fitore, ndërsa ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me partinë e Kurtit, raporton Zeri.info.

“Unë dua ta uroj LVV-në për rezultatin e arritur dhe dua t’i ftoj që të punojnë për ta forcuar më shumë shtetin e Kosovës dhe institucionet. Natyrisht PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me LVV-në meqë ne jemi shumë larg me orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron PDK-ja”, ka shtuar kryetari në detyrë i PDK-së.

Ai është zotuar se PDK-ja do të jetë faktor i stabilitetit nga pozita e partisë kryesore në opozitë. /Zëri