“El Pais”: Paradoksale – Presidentja mund të bëhet deputete por jo presidente, e Kurti mund të bëhet kryeministër por jo deputet

Gazeta spanjolle "El Pais" i ka kushtuar një shkrim interesant zgjedhjeve të sotme parlamentare në Kosovë.

Më poshtë ju sjellim të plotë shkrimin e këtij mediumi.

Kosova po shkon drejt ndryshimit politik dhe të gjeneratave, sipas rezultateve të “exit-polleve” zgjedhjeve këtë të diele, të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit në orën 19:00 pasdite. “Exit-pollet” japin një fitore të qartë – megjithëse më pak se sa parashikuan sondazhet e mëparshme – për Vetëvendosjen, një parti nacionaliste e krahut të majtë e rritur nga vota e të rinjve nën moton e luftës kundër korrupsionit dhe nepotizmit, të këqijat që ia atribuon qeverive të dy dekadave të fundit nga partitë tradicionale që dolën nga guerilët që luftuan për ndarjen në vitet e nëntëdhjeta. LVV-ja do të marrë 41.8% të votave dhe 52 deputetë. Shumica absolute është 61 deputetë, kështu që do t’i duhet të negociojë.

E dyta me radhë, me 16.5% dhe 20 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës, e cila kaloi 20 vjet e papenguar në qeveri; ndërsa e treta, me 15.2% dhe 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës, qendër e djathtë dhe aktualisht në pushtet. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një tjetër parti e ish-guerilëve, do të marrë 7.2% për qind dhe nëntë deputetë. Partitë shqiptare të Kosovës garojnë për 100 nga 120 vendet në Parlamentin e kësaj ish krahine serbe që e shpalli pavarësinë e saj më 2008, e njohur nga rreth 100 vende. Pjesa tjetër është e rezervuar për pakicat: 10 për serbët (të gjitha parashikohet të shkojnë në Listën Serbe, e lidhur me Beogradin) dhe 10 për pakicat e tjera, të tilla si romët, boshnjakët dhe turqit, transmeton Zeri.info.

Këto zgjedhje të parakohshme, të tretat në dy vjet, janë mbajtur pasi Gjykata Kushtetuese zbuloi se vota vendimtare për qeverinë Hoti nuk është dashur të numërohej pasi një deputet ka qenë i dënuar me burgim me vendim të prerë gjykate për mashtrim.

Dalja në këto zgjedhje ishte 46.9%, pothuajse tri pikë të përqindjes më shumë sesa në zgjedhjet e 2019-ës, pavarësisht pandemisë dhe motit të ftohtë që la rrugët e mbuluara me burë dhe temperaturat 14 gradë Celsius nën zero.

“El Pais” thotë se dita e zgjedhjeve rastisi me Ditën e të Dashuruarve, ndërsa rrëfen për familje që kishin dalë edhe me saja për të shkuar për të votuar.

Gazeta spanjolle shkruan edhe për përkrahësit e Vetëvendosjes që i kishte hasur para Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, të cilët thotë se s’mund ta fshihnin euforinë e fituar nga sondazhet e mëhershme, që e çonin LVV-në në rreth 50%. Këtë ndjenjë e gjeje edhe tek Ina, një punonjëse 25-vjeçare e një hoteli, e cila me gjysmë shakaje tha: “Votova sikurse të gjithë kosovarët”. Vigani, 36-vjeç, i cili përzgjedhjen e tij partiake e ka ndryshuar në çdo zgjedhje, deri në shpërthimin e Vetëvendosjes, të cilën edhe e votoi për të dytën herë.

Rina, një grua e re nga Prishtina e cila kishte ardhur për ta prishur fletëvotimin, ishte e zemëruar me këtë rritje: “A është alternativë një parti nacionaliste? A është nacionalizmi zgjidhje për problemet e Kosovës? Vërtetë? E kam përjetuar luftën dhe e di çfarë gjenerojnë idetë nacionaliste”. Apo Mirdita Sekiraqa, 35-vjeçe, e cila e kishte votuar Lidhjen Demokratike me besimin se do të përmirësohet gjendja e nënave beqare sikurse puna e saj. “[Lideri i Vetëvendosjes Albin] Kurti i ka të gjitha tiparet e një diktatori. Se unë, unë, unë... dëshiron t’i bëjë të gjitha”, thotë ajo, teksa mban për dore djalin e saj.

Nëse rezultatet e exit-polleve konfirmohen, Vetëvendosja rrit përqindjen e votave me 15 pikë të përqindjes nga 25.5% sa kishte në zgjedhjet e tetorit të vitit 2019 që i dha asaj fitoren, e ndjekur për së afërmi nga atëherë LDK-ja opozitare me 24.8%. Ato formuan qeverinë e koalicionit – pas negociatave të gjata – që e bënë Kurtin kryeministër. Kjo përvojë zgjati vetëm 50 ditë; LDK-ja u shkëput dhe e rrëzoi Kurtin me një mocion votëbesimi.

Ishte pikërisht kjo lëvizje për çka shqiptarët e ndëshkuan LDK-në dhe sqaron rritjen e madhe të votës për Vetëvendosjen në më pak se një vit e gjysmë. “Është votë për Vetëvendosjen, por edhe protestë për atë se çfarë ka ndodhur. Ishte një ndjenjë se vullneti i qytetarëve nuk po respektohej”, thotë Jeta Krasniqi, një hulumtuese e lartë e KDI-së.

Për shumë kosovarë, ishte e papërgjegjshme rrëzimi i një qeverie në një moment aq kritik siç është pandemia, e cila ka shkaktuar rreth 1500 vdekje në Kosovë – që nga mesi i marsit 2020. “Një moment për libra të historisë nga një klasë politike të mjerueshme dhe të papërgjegjshme”, thotë Besa Luci nga “Kosovo 2.0”. Për të tjerët, ishte një lojë e promovuar nga Richard Grenell, ish-emisari special i Amerikës për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, i cili dëshironte që administrata Trump të bënte një foto me shtrëngim duarsh të cilën Kurti – i cili ka qëndrim të ashpër për dialogun me Serbinë – refuzonte ta bënte. Rreth gjashtë muaj më vonë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe Hoti nënshkruan një marrëveshje ekonomike në Shtëpinë e bardhë para liderit të atëhershëm të SHBA-së. Në takim shkoi kryeministri në vend të presidentit Hashim Thaçi, i cili nuk mundi të shkonte pasi iu publikua aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Thaçi dha dorëheqje në nëntor, ndërsa Tribunali Special i Kosovës, me bazë në Hagë, ia konfirmoi aktakuzën, transmeton Zeri.info.

Dorëheqja e Thaçit i hapi derën karakterit kyç të atyre zgjedhjeve që të merrte përkohësisht atë post: Vjosa Osmani, simbol i një gjenerate të re politike. Në zgjedhjet e fundit ajo ishte gruaja që mori më së shumti vota në histori të vendit, si kandidate për kryeministre me LDK-në. Ajo doli nga partia për t’iu bashkuar kësaj radhe Vetëvendosjes, që pritet të ketë tërhequr votat e të rinjve dhe të grave. Ajo është 38-vjeçe; Kurti, 45-vjeç, dhe janë paraqitur së bashku në disa posterë elektoralë.

Gjatë fushatë, e shkurtuar si pasojë e pandemisë në vetëm 10 ditë, Kurti e bazoi shumicën e mesazhit të tij në nevojën e një shumice absolute. “Vetëm një fitore me mbi 61 deputetë garanton zbatimin e ndryshimeve të dëshiruara dhe progresin shumë të nevojshëm”, insistonte ai. Sipas exit-polleve, Vetëvendosja do të duhet të merret vesh me të tjerët. Jo vetëm që Kurti të bëhet kryeministër, meqë nuk e ka fituar shumicën absolute, por edhe për postin e presidentit, nga i cili me gjasë duhet të heqë dorë. Disa analistë madje parashohin se mungesa e një marrëveshjeje do të çojë në zgjedhje tjera të parakohshme në një vend ku qeveritë zgjasin mesatarisht dy vjet dhe që nga shpallja e pavarësisë asnjë s’ka arritur ta kompletojë një mandat të plotë katër-vjeçar.

“Sfida e parë është rindërtimi i udhëheqjes kombëtare pas ngjarjeve të vitit të kaluar - rënia e qeverisë së Kurtit dhe largimi i Thaçit, ndër të tjera”, shpjegon Marko Prelec, një analist ekspert në Ballkan nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave. “As dialogu me Beogradin, as reformat kombëtare dhe as integrimi evropian nuk mund të bëjnë shumë përparim pa udhëheqjen e konsoliduar kombëtare me një strategji të qartë”.

Një nga paradokset e këtyre zgjedhjeve është pikërisht fakti se U.D. i Presidentit aspiron një ulëse në Kuvend, por e ka të vështirë të mbajë postin e Presidentit, ndërsa Kurti në parim mund të bëhet kryeministër, por jo deputet. Atij iu ndalua ligjërisht kandidimi sepse më pak se tre vjet më parë ai ishte dënuar për hedhjen e një bombole gazi lotsjellës në Kuvend në shenjë proteste ndaj shënjimit të kufirit me Malin e Zi dhe krijimit të Asociacionit të komunave shumicë serbe. /Zëri