Policia ka evidentuar vetëm tri raste “të lehta” që kanë prekur procesin zgjedhor
Policia e Kosovës ka njoftuar se e kanë realizuar me sukses planin operativ për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Përmes një njoftimi për media, PK-ja ka bërë të ditur se në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë e Shtetit, ka iniciuar tri (3) raste që ndërlidhen me zgjedhjet, por të cilat nuk kanë ndikuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Një rast është evidentuar në Lipjan, një në Prizren dhe tjetra në Fushë-Kosovë.
“Prej tyre një (1) rast është evidentuar në Lipjan si ‘Pengim i procesit të votimit’ ku është arrestuar një person i cili me vendim të prokurorit kompetent është dërguar në mbajtje për 48 orë. Ndërsa dy (2) rastet tjera, një në Prizren dhe një në Fushë-Kosovë, janë evidentuar ‘Cenim i fshehtësisë së votimit’ ku me vendim të prokurorëve të dy rastet janë dërguar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia e Kosovës thotë se ka trajtuar çdo informacion i cili ka pasur të bëjë me procesin zgjedhor, si dhe ka trajtuar edhe raste tjera që nuk ndërlidhen me procesin zgjedhor. /Zëri