Ahmeti ia uron fitoren LVV-së

Ish-anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, tash anëtar i PSD-së, Shpend Ahmeti, ndonëse nuk janë publikuar ende rezultatet preliminare nga KQZ-ja, ia ka uruar fitoren ish-partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën sot.

Përmes një postimi në “Facebook”, kreu i Komunës së Prishtinës Ahmeti shpreson për LVV-në që do të ketë mundësinë të ballafaqohet me problemet e mëdha që në këto momente i ka Kosova.

“Urime Lëvizjes dhe urime qytetarëve për edhe një palë zgjedhje demokratike. Shpresojmë se do të kenë mundësinë të ballafaqohen me problemet reale dhe të mëdha që i ka në këto momente Republika e Kosovës”, ka shkruar ai.

Ai ka theksuar se legjitimitetin për të qeverisur me Kosovën në katër vjetët e ardhshëm e ka LVV-ja, duke thënë se këtë legjitimitet e ka pasur pakkush në zgjedhjet e pasluftës.

“Por një gjë është e qartë pavarësisht rezultateve finale - legjitimitetin për të qeverisur me Kosovën në katër vjetët e ardhshëm e ka Lëvizja Vetëvendosje. Këtë legjitimitet e ka pasur pakkush, ose më mirë me thënë askush, në zgjedhjet e pasluftës”, tha Ahmeti.