PZAP-i njofton qytetarët se ankesat duhet të bëhen fizikisht, jo përmes “Facebook”-ut
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) përmes një njoftimi për qytetarët ka bërë të ditur se ankesat të cilat i kanë dërguar në “Facebook” nuk do të konsiderohen si ankesa.
PZAP-i thotë se këto ankesa duhet të paraqiten në mënyrë fizike në selinë e PZAP-it në Prishtinë.
Sipas PZAP-it, afati i paraqitjes së ankesës është 24 orë nga momenti i vënies në dijeni për shkeljen e pretenduar.
“Të nderuar qytetarë, ju informojmë se ankesat të cilat i keni dërguar përmes ‘Facebook’-it të PZAP-it nuk do të konsiderohen si ankesa, ashtu që të gjitha këto ankesa dhe prova mund t’i paraqitni në mënyrë fizike në selinë e PZAP-it në Prishtinë, në adresën ‘Migjeni’, ndërtesa e Ish-Bankës së Lubjanës, kati i parë, duke e plotësuar formularin e ankesës (mund ta shkarkoni ne faqen zyrtare te PZAP-it ose në letër të thjeshtë), duke përshkruar parregullsinë, duke bashkangjitur provat që provojnë parregullsinë dhe duke nënshkruar formularin e ankesës. Afati i paraqitjes e ankesës është 24 orë nga momenti i vënies në dijeni për shkeljen e pretenduar”, thuhet në njoftimin e PZAP-it. /Zëri