Daka: Deri në orën 15:00 votuan 32% e qytetarëve

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka njoftuar se 32 për qind e qytetarëve deri në këtë kohë kanë votuar, në krahasim me vitin, 29,28%.

“Procesi i votimit është duke u zhvilluar normalisht dhe nuk është paraqitur ndonjë problem i veçantë, numri i qytetarëve me të drejtë vote deri në orën 15:00 është 32%, ose 567 mijë e 934 votues nga 1 milion e 794 mijë e 862 votues deri në të njëjtën kohë. Në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2019 kishin votuar 29,28% të votuesve”, ka thënë ajo në një konferencë për media, raporton “Zeri.info”.

Ajo ka potencuar se edhe raportimet e mediave janë duke i trajtuar me sukses në bashkëpunim me institucionet e tjera përkatëse.

“Se edhe raportimet që po bëhen nga mediat jemi duke i trajtuar me seriozitet, duke bashkëpunuar me institucionet e tjera, prokurorinë dhe Policinë e Kosovës”, tha Daka.

Ndërkaq, Daka ka folur edhe për personat të cilët janë të shtrirë nëpër institucione shëndetësore e të njëjtit nuk po mundën të votojnë.

“Më duhet të njoftoj se regjistrimi i personave të cilët janë të shtrirë nëpër institucione shëndetësore ka qenë deri më datën 11 shkurt dhe të gjithë ata të cilët kanë shprehur gatishmërinë të votojnë janë regjistrues si votues me nevoja të veçanta dhe të te të njëjtit kanë shkuar ekipet mobile. Po ashtu ne jemi të vetëdijshëm se nga data 11 me siguri ka persona të tjerë, të cilët janë shtruar në spitale. Është procedura të cilat kërkon që së pari të regjistrohen si votues e pastaj të munden me votu”, ka thënë Daka.

Po ashtu ajo konfirmon edhe lajmin për lejimin e votimit të qytetarëve me afat të skaduar të letërnjoftimit.

“E vërteta është se 8 anëtarë kanë votuar për që të lejohen për qytetarët të votojnë me afat të skaduar me arsye është se nuk kanë mundur t’i marrin dokumentet nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe ka shumë qytetarët për shkak të pandemisë dhe nuk janë lëshuar dokumente nuk kanë arritur t’i ndryshojnë”, tha Daka.

Ndërsa sa i përket thyerjes së heshtjes zgjedhore, Daka thotë se KQZ-ja nuk ka kompetenca që t’i dënojë ata që kanë thyer heshtjen zgjedhore, teksa thekson se PZAP-i është organi që merret me këtë çështje.

“Sa i përket heshtjes zgjedhore, është institucioni tjetër i cili merret PZAP-i, ne nuk kemi kompetenca t’i dënojmë, sa i përket heshtjes zgjedhore të gjithë ata që konsiderojnë që është shkelur heshtja kanë të drejtë të ankohen në PZAP”, tha kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.

Në konferencë u tha se dalja më e madhe është shënuar në komunën e Zubin Potokut, të Zveçanit dhe Leposaviqit, me dalje mbi 60 për qind. /Zëri