Hardinaj-Stublla: Dilni të votoni, ta sfidojmë edhe Serbinë përmes votës

Anëtarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, u ka bërë thirrje qytetarëve të vendit që të dalin të votojnë, pasi sipas saj duhet ta sfidojnë edhe Serbinë përmes votës.

Haradinaj-Stublla ka theksuar se kanë mbetur edhe pak orë deri në mbylljen e vendvotimeve, duke ftuar qytetarët që të dalin të votojnë për të vendosur për të ardhmen e vendit.

“Tani kur kanë mbetur më pak se 5 orë kohë deri në mbylljen e vendvotimeve, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ju fton që të dilni masovikisht në votime. Vendosni për të ardhmen e këtij vendi. Duke dalë në numër të madh u jepni kuptim këtyre zgjedhjeve”.

Ajo thotë se procesi është duke shkuar mirë dhe pa incidente.

“Nga informatat që po pranojmë vazhdimisht nga terreni dhe shtabet tona komunale anembanë Kosovës bëjmë të ditur se procesi po shkon mirë, pa incidente madhore, por shifrat e deritanishme të daljes në votime nuk janë të kënaqshme, ku janë më pas se 20 për qind”, tha Haradinaj-Stublla.

Në fund Haradinaj Stublla i bëri thirrje edhe diasporës që të dalë të votojë.

“Ju bëjë thirrje të gjithëve pa dallim, duke përfshirë diasporën tonë të dashur, që kanë marrë rrugë prej larg, që me kujdes të shtuar për shkak të kushteve të vështira atmosferike, por me vendosmëri të madhe të dalin dhe të bëhen pjesë e këtij procesi demokratik për të gjithë ne. Vota jonë përveçqë është besim i shenjtë, është edhe vendim për të ardhmen tonë nesër”, përfundoi ajo. /Zëri